Takimet mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për çështjen e zgjedhjes së presidentit po shoqërohen me sinjale për një marrëveshje, por ende mbeten pikëpyetje nëse një dakordim i mundshëm do të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend.
Kurti dhe Abdixhiku u takuan sërish të shtunën në mbrëmje, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një kandidat konsensual për presidentin e vendit. Pas takimit, palët nuk dhanë detaje dhe nuk pati konferencë për media.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është shprehur optimiste se këto takime mund të përfundojnë me rezultate konkrete.
“Jam optimiste që do të kemi rezultate pozitive dhe presim që kjo të konfirmohet nga Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht kryetari i saj, kryeministri Albin Kurti, dhe në anën tjetër kryetari i LDK-së, zotëri Lumir Abdixhiku. Uroj që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, për shkak se është shumë e rëndësishme që të ecim përpara”, ka deklaruar Haxhiu.
Megjithatë, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka ngritur një tjetër çështje: garantimin e votave të deputetëve të LDK-së në rast të arritjes së marrëveshjes.
Sipas tij, Abdixhiku duhet ta menaxhojë grupin parlamentar të partisë së tij dhe të sigurojë zbatimin e marrëveshjes në Kuvend.
“Ne e trajtojmë formalisht si kryetar të LDK-së. I mbetet zotit Abdixhiku ta menaxhojë grupin e tij parlamentar dhe, në momentin kur dakordohet për emrin, të garantojë edhe implementimin e kësaj marrëveshjeje nga pozicioni i LDK-së”, ka thënë Rrustemi.
Ndërkohë, mënyra se si po zhvillohen takimet mes Kurtit dhe Abdixhikut është kritikuar nga opozita.
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar që çështja e presidentit të trajtohet në Kuvend dhe jo përmes takimeve të mbyllura.
“Pse nuk po e gjejnë kandidatin për president? Pse nuk po vjen në Kuvend, ta funksionalizojë Kuvendin? Sepse presidenti që do të zgjidhet, zgjidhet nga ky Kuvend”, ka deklaruar Tahiri.
Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar mungesën e transparencës, duke thënë se qytetarët nuk po informohen se çfarë përfitojnë nga këto takime.
“Cili është përfitimi i popullit të Kosovës që këta po takohen në orët e mbrëmjes, në orë të vona? Krejt çka flasin është për poste”, ka thënë Ramadani.
Ndërkohë, në media është raportuar se Kurti dhe Abdixhiku mund të kenë gjetur konsensus rreth emrit të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga dy partitë.










