Kosova numëron mbi 60 shkolla profesionale në gjithë vendin të cilat kanë drejtime specifike që sigurojnë një vend pune për të diplomuarit në Kosovë. Kjo sepse nevojat e tregut në vend janë të lidhura ngushtë me aftësitë që i ofrojnë shkollat profesionale, dhe në të njejtën kohë bizneset janë në kërkim të vazhdueshëm për fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar.
Shumë profile, të cilat dikur janë menduar si profesione teknike e të djemve, tani po ndiqen nga vajzat të cilat po marrin aftësitë e duhura që po ua hapin dyert për punësim të suksesshëm në drejtime si ICT, programim, arkitekturë, agrobiznes, konfeksion, ngrohje dhe klimatizim, auto-mekanik, përpunues të metaleve, ndërtimtari, instalues elektrik e shumë profesione të tjera.
Në fillim të verës, shkollat e aftësimit profesional në mbarë Kosovën kanë mbajtur ‘Ditët e Hapura’ për ti njoftuar të rinjtë filloristë për mundësitë që i ofrojnë për praktikë profesionale dhe lidhjen me tregun e punës. Të gjitha këto mundësi në kuadër të Arsimit dhe Aftësimit Profesional i hapin vajzave dyert drejt një karriere të qëndrueshme dhe mundësi punësimi të menjëhershëm.
“Ditët e Hapura janë përkrahur nga organizata ‘Kosova Women 4 Women’ në kuadër të iniciativës “Her path, Her skills” financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga Ministria e Arsimit dhe
Shkencës, dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Nga kjo përvojë është e qartë se për vajzat në shumë Komuna të Kosovës duhet të vazhdojmë me insistim që nxënësit, dhe prindërit e tyre, të marrin vendime të informuara për karrierën e tyre.
Arsimi profesional u mundëson të rinjve të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike në fusha të ndryshme, të pajisen me një diplomë të njohur dhe, mbi të gjitha, të kenë qasje më të shpejtë dhe më të sigurt në tregun e punës.
Drejtohu në shkollën më të afërt profesionale në Komunën ku jeton, merr informacione për profesionet dhe përzgjedh njërin nga to.
Shkolla profesionale nuk është vetëm një diplomë.
Zgjedh shkollën për aftësi karriere!









