Gjykata e Apelit e Kosovës ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka liruar nga akuza Ragip Begajn, Bajram Hasanin, Bashkim Krasniqin dhe Malë Krasniqin, të cilët ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, raporton Sinjali.
Gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar Ragip Begajn dhe Bajram Hasanin me nga dy vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Bashkim Krasniqin dhe Malë Krasniqin me nga dy vjet burgim.
Megjithatë, Apeli ka aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe ka konstatuar se gjendja faktike ishte vërtetuar gabimisht dhe se nuk ishte provuar që të akuzuarit e kishin kryer veprën penale për të cilën ishin dënuar.
Në anën tjetër, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe e ka vërtetuar pjesën liruese të aktgjykimit ndaj Faton Thaqit, Malë Krasniqit, Nazmi Kafexhollit dhe Ahmet Rrahmanajt.
Këta të fundit akuzoheshin për vepra të ndryshme penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, mashtrimin dhe shpëlarjen e parave.
Gjykata ka vlerësuar se nga provat e administruara nuk është dëshmuar se të akuzuarit i kishin kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.
Ndërkaq, procedura penale ndaj Hajdin Berishës është pushuar për shkak të vdekjes së tij gjatë zhvillimit të procedurës.
Vendimi është marrë me aktgjykimin APS.nr.12/2025, përmes të cilit është ndryshuar pjesërisht aktgjykimi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.










