Mëhalla e romëve ose siç quhej ndryshe mëhalla e Masuricëve – Lagjja e Masuricëve (romëve)te Stacioni i Autobusëve
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
Rrëfimi i radhës i dr. Shevqetit sjell kronikë jete në lagjën rome të Stacioni i Autobusëve apo e njohur dikur si “Masurica mahalla”; për shtëpitë e tyre dykatëshe me dhomën mbi dhomë, komunkimin që romët bënin në rrugë mes vete, punëtoritë e farkatarisë brenda lagjes dhe në pjesë tjera të qytetit…
Do të lexoni: Ku shtrihej lagjja rome Masurica? Pse quhej lagjja Masurica? Ku i kishin farkataritë dhe kush ishin farkatarët më të njohur të qytetit? Kush ishte lustraxhiu më i njohur i qytetit? Cili ishte autoservisi në Gjilan?, Etj, etj…
Shumë herë kam kaluar nëpër këtë mëhallë, ku banonin romët. Shtëpitë ishin ndërtuar në anën e djathtë skaj përroskës që vinte nga parku i qytetit; kishte edhe disa shtëpi në anën e majtë. Romët e kësaj mëhalle, shumica kishin origjinën nga fshati Masuricë (Serbi), për ç’arsye në dokumente, deri në vitin 1945, kjo mëhallë kishte emrin “mëhalla e Masuricëve”. Lagjja kishte rrugën e vet kryesore, që shtrihej buzë përroskës dhe takohej me Deremëhallën. Prej vitit 1945 deri me 2000 kjo rrugë kishte emrin “Ivo Lolla Ribar”, pastaj “Elez Agushi”. Mëhalla e poshtme rome kishte edhe dy sokaqe qorre, që niseshin pas Stacionit, aty ku ishte furra e Ilazit; tjetra pas Shtepisë së Vjetër të Zjarrëfikësve, ku sot gjendet Qendra e Statistikës. Vetëm familja e muzikantit të famshëm gilanas, Rashit Salijeviqit, ishte pas fushës së sportit te Shkollës Tetëvjeçare “Vuk Karaxhiq”.
Ah Gilan, ah zaman! Ah Gjilan, ah kohë!
Pas romëve këtu u vendosën edhe familjet jo rome, si: Hajra dhe Ismali nga Livoçi, Rexhepi nga kodrat e Pasjanit, Xhavit Koka dhe familjet serbe, si: Mile Siriniq, Mika që kishte librarinë te Komuna, Pera që ishte vozitës i Ndihmës së Shpejte në Shtëpinë e Shëndetit ne Gilan.
Rrugët deri në vitin 1970 ishin me baltë, shtëpitë e vogla, kryesisht dykatëshe, si kutijat me nga një dhomë. Ishin të palyera, dyert nga hekuri të ngjyrosura me ngjyrë të kaltër ose të kuqrremtë. Komunikimi mes romëve bëhej në rrugë. Nuk kishte kanalizim, as ujësjellës.
Disa familjeë në shtëpite e tyre kishin punëtoritë e kovaçit/ farkatarit/, disa kishin punëtoritë në pjesët e ndryshme të qytetit. Familja Agushi ishte nga Zhitia. Në Muhaxhir mëhallë punëtorinë e kishin Demë dhe Daut Kovaqi, afër teqes “sadi”. Aty ku ishte zyra e kryetarit të Komunës deri me 1953 ishte Murat Kovaqi, i njohur, kishte 8 fëmijë, të gjithë meshkuj, pastaj e transferuan në Çiflik mëhallë deri me 2006, kur e detyruan të largohet. Aty ku ishte shtëpia e Daut Saliqajve ishte Islami me punëtorinë e tij, ndërsa në këndin për Malishevë, ku është objekti “Lepa Brena” te furra “Pashtriku”, punëtoritë e farkatarit i kishin: Bajrami, Hajrullahu dhe Asllani. Isa kollari nga Malisheva dhe Elez Agushi ishin fqinjë me punëtoritë e tyre, përballë Stacionit të Policisë, ndërsa pas Stacionit të Autobusëve ishin punëtoritë e Demirit dhe Islamit. Në mes tyre e kishte shtëpinë Drago Petroviq, që punonte me Sabit Zymberin në Teknikën Popullore. Romet e kësaj mëhalle kishin punëtori edhe në fshatrat Pogragjë, Dobërçan, Llashticë, Zhegër e Shurdhan.
Ah Gilan, ah zaman, ah Masuricë mëhallë!
Ty të vizitoja disa herë në ditë sa isha në nxënës në shkollë fillore, kisha dëshirë të shoh si punonte pushilla në farkatari që skuqte hekurin, se si farkatari me çirrakun e vet goditnin hekurin e skuqur, duke ia dhënë formën e duhur, pastaj si e fundosnin hekurin e skuqur në pusin me ujë për ta ftohur. Goditjet e qekanëve nuk ndaleshin, pushilla ngritte flakën, shkëndijat e zjarrit fluturonin si yjet në qiell, veglat e punuara ishin të shpërndara nëpër punëtori. Punonin shatnojë, sopata, kosa, lopata, hjeksa, lagraxha që i shitnin në pazar ose në panaxhyrin e Gilanit, disa i dergonin me arabaxhitë Ballancali dhe Malishevali nga Gilani në Ferizaj, Bujanoc, Viti, Kamenicë. Punonin edhe patkonj për nallbanët e Gilanit.
Jashtë punëtorisë qëndronte guri për mprehjen e sopatave, thikave, që nga kurreshtja sillnim gurin dhe na vinte shumë interesant. Punonin shina të qerreve (kerreve) dhe zhegra për kollare. Elez Agushi më kishte ndihmuar në tubimin e parave për blerjen e kombit (kombibusit)për varrim të gilanasëve. Ai vdiq pas infarktit që kishte përjetuar pas maltretimeve të bëra në Stacionin Policor. Mika punote me Remziun në librari, ku unë si nxënës i fillorës furnizohesha me libra dhe fletore. Djali i tij, Toma ishte kryesori në testin e vozitjes në autoshkollë. Mile Siriniqi kishte hekursihtoren ku dikur ishte “Jugobanka”. Në vitet ‘85 e shtrruan rrugën me çimento, dhe vetëm rrugën “Ivo Lola Ribar”. Romët e kësaj mëhalle ishin lustragjinjtë kryesor te qytetit; më i njohuri ishte Lata, ku shkonin byrokratët të lustrojnë këpucët, para obkjektit ku ishte gjyqi. Dy sokaqet qorre ishin me baltë, zakonisht pas shiut. Muret e disa shtëpive ishin me llamarina, rrobat e pastruara qendronin të varura skaj rrugës, pa menduar se pluhuri përsëri do të bie mbi to! Romët bëjnë muzikë në rrugë. Deri me 1967, kur funksiononte Stadiumi i Vjetër i Futbollit, kalonim nëpër shtëpinë e Perës për të hyë në Stadium pa biletë. Aty Pera kishte punëtorinë (servisin)për automobila, në shumicën e rasteve ishin vetura të tipit “Fiqa”.
Një kohë panaxhyri zhvillohej pranë kësaj mëhalle, prapa Stacionit të Autobusëve; deri me 1983 ishte edhe tregu i kafshëve, aty ku është Shtëpia e Pensionistëve. Xha Hamdiu nga Pasjaku bënte matjen e kafshëve në vagë (peshore). Murati me plot fëmijë ndërtoi shtëpinë trekatëshe nga mjeshtri Rafuna. Rexhepi e ndërroi oborrin me Xhavit Kokën, ndersa djali Hasani, që ishte merak për alkool, një ditë të shtune vdiq nga infarkti në sokakun ku kam lindur unë. Ishte kalimtar, i pamartuar, pa përkujdesje. Shkoi si era, ashtu siç shkrihet çdo ditë e jetës…
Sa të ketë jetë do të ketë kronikë dhe rikthim në kohë përmes gjurmëve e rrëfimeve…Vazhdojmë javën tjetër.
Sqarim: Terminologjia që ka pasur përdorim te popullata është përdorur në origjinal…Mirëkuptim nga ju lexues të nderuar!
/Autor: Shevqet Mehmeti/ E përgatiti për shtyp /redaktoi: N.Buzuku/