Kamenica po hap dyert për një iniciativë të re në fushën e kinematografisë. Për herë të parë, në këtë komunë po zhvillohet LAND FILM LAB – Film Residency & Industry Networking, një program i dedikuar zhvillimit të projekteve filmike dhe bashkëpunimit profesional në industrinë e filmit.
Komuna e Kamenicës, si partnere e projektit, po mbështet këtë iniciativë, e cila nga 7 deri më 11 shtator 2026 do të zhvillohet në Roganë, Kamenicë dhe Krenidell.
Gjatë pesë ditëve, kineastë, mentorë dhe profesionistë të industrisë së filmit do të mblidhen në Kamenicë për të zhvilluar projekte të reja përmes mentorimit profesional, prezantimeve, takimeve dhe aktiviteteve të rrjetëzimit.
Programi përfshin gjithashtu projektime filmash në ambiente të hapura, duke sjellë kinemanë më pranë komunitetit dhe duke i dhënë Kamenicës një rol të ri si hapësirë për krijimtari dhe zhvillim kulturor.
Iniciativa synon të krijojë mundësi të reja për artistët dhe profesionistët e rinj, si dhe të nxisë bashkëpunimin ndërmjet komunitetit lokal dhe industrisë së filmit.









