Avokatja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Sophie Menegon, ka kritikuar interpretimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë.
Gjatë paraqitjes së argumenteve të mbrojtjes, Menegon tha se në këtë çështje mungojnë elementet që, sipas saj, kërkohen për ndërhyrjen në dëshmitarë, përfshirë ryshfetin, detyrimin apo kërcënimin, sipas Kodit Penal të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“Në këtë çështje, mungesa e ryshfetit, detyrimit apo kërcënimit që kërkohet për ndërhyrje të dëshmitarëve sipas Nenit 386 dhe 387 të Kodit Penal të Kosovës, ZPS-ja ka shtrembëruar kuptimin e pengimit kundër zyrtarëve në kryerjen e detyrës zyrtare sipas Nenit 412 të Kodit Penal të Kosovës, me qëllim që ta bëjë atë të përputhet me veprimtarinë e pretenduar”, deklaroi Menegon.
Sipas saj, një interpretim i tillë është i palejueshëm dhe nuk duhet të pranohet nga gjykata.
“Interpretimi i këtij neni nga ZPS-ja është në mospërputhje me jurisprudencën e Kosovës”, tha avokatja.
Menegon bëri të ditur gjithashtu se mbrojtja ka shqyrtuar 90 raste gjyqësore në Kosovë që lidhen me akuza për pengim, duke argumentuar se këto raste ofrojnë bazë për mënyrën se si duhet interpretuar dispozita përkatëse e Kodit Penal.









