Pas shumë vështirësive dhe pengesave, më në fund është vendosur në Times Square të New Yorkut billboardi me fotografinë e katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahet në Hagë.
Ish-luftëtari i UÇK-së, Shpend Gjocaj, ka njoftuar se kjo është arritur pas shumë përpjekjeve dhe vështirësive.
“Jemi këtu në Time Square. Kemi bërë përpjekjet tona të jashtëzakonshme javën e kaluar që ta nxjerrim në njërin nga billboardet fotografinë e katërshes së UÇK-së që po mbahen në Hagë. Kemi pasur pengesa të mëdha dhe nuk na është pranuar nga dhjetëra operatorë, për shkak se fotografia dhe mesazhi kanë qenë politik.
Më në fund kemi arritur që në këtë billboard, pas meje, i cili ndodhet mbi shitoren Grand Slam, dhe kemi arritur ta nxjerrim në këtë ekranin pas meje këtu sipër, pavarësisht se kemi pasur vështirësi në krejt pikat.
Jemi detyruar ta ndryshojmë fotografinë dhe mesazhin. Na është rritur çmimi për 20 herë”, deklaroi Gjocaj përmes një videoje të postuar në Facebook.
Kjo iniciativë është realizuar vetëm dy ditë para shpalljes së aktgjykimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.










