Gjilani ka qenë njëra nga skuadrat që ka bërë më së shumti ndryshime në afatin kalimtar veror në futbollin kosovar.
Ekipit nga Gjilani i ikën shumica e lojtarëve që e patën barrën kryesore në edicionin e kaluar dhe si rezultat i kësaj, gjilanasit u fokusuan në transferimin e futbollistëve nga rajoni dhe bota, raporton KTV.
Deri tani, kjo strategji e klubit po del të jetë e suksesshme, marrë parasysh pikët e plota në dy ndeshje dhe mbi të gjitha, kualitetin e lojtarëve që kanë transferuar.
4 golat e shënuar në këtë edicion mbajnë emrat e lojtarëve të transferuar gjatë verës.
Sulmuesi Trevin Caeser nga Trindad dhe Tobago dhe Wilber Perez nga Guatemala, kanë treguar përshtypjet e para për futbollin në Kosovë.
Caeseri, i cili më parë ka luajtur në kategorinë e dytë të futbollit amerikan dhe Perez për të cilin është aventura e parë jashtë vendlindjes, kanë folur për jetën në qytetin e Gjilanit.
Nga ana tjetër, dy lojtarët që vijnë nga Shqipëria, e që kanë dhuruar paraqitje fantastike janë Ansi Nika dhe Brunild Pepa.
Që të dy kanë treguar për ndryshimin mes futbollit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës
Nika dhe Pepa po ashtu shprehen të kënaqur me atmosferën në klub dhe mikpritjen nga qytetarët e Gjilanit.
Gjilani ka transferuar edhe futbollistët Vilfor Hysa, Ledion Muçaj dhe Endrien Magani nga Shqipëria, ndërsa Mauricio Marinho dhe Jefferson Marques kanë ardhur nga Brazili.
Nga garda e vjetër në 11-shen e parë, kanë mbetur vetëm kapiteni Ylber Kastrati, Fisnik Papuqi dhe Donat Kaqiu.
Ndryshime, “Kuqebardhët” bënë ndryshim edhe në drejtimin e skuadrës, ku si trajner në vend të Alban Hysenit, është emëruar Sadat Pajaziti, që rikthehet te Gjilani pas dy vjetësh.