Drita ka bërë një nga goditjet më të mëdha në historinë e klubit.
Gazeta Olle mëson ekskluzivisht se Besar Halimi është futbollisti i ri i Dritës.
Marrëveshja mes palëve tashmë është arritur, ndërsa mesfushori gjilanas ka nënshkruar kontratën me klubin e qytetit të tij për dy vite.
Halimi është nga Gjilani, por është lindur dhe rritur në Gjermani, aty ku edhe e ka ndërtuar të gjithë karrierën e tij profesionale.
31-vjeçari ka një karrierë të pasur dhe të veçantë, duke luajtur në disa prej kampionateve evropiane dhe më pas edhe jashtë Evropës.
Mesfushori ofensivë e ka nisur karrierën në Gjermani, duke kaluar nëpër akademitë e Frankfurtit, Darmstadtit, Nürnbergut dhe Stuttgartit .
Më pas, Halimi ka luajtur për Stuttgart Kickers, Mainz, Sandhausen, FSV Frankfurt dhe Hallescher.
Në karrierën e tij ndërkombëtare, gjilanasi ka veshur fanellën e gjigantit danez Brondby, ndërsa ka luajtur edhe për Riga, Apollon, Sląsk Wroclaw dhe së fundmi ishte pjesë e gjigantit maroken Raja Casablanca.
Ai ka një përvojë të gjatë edhe me Kombëtaren e Kosovës, me të cilën ka zhvilluar 32 ndeshje.
Halimi mbahet mend veçanërisht për golin ikonik ndaj Spanjës, kur realizoi nga gjysma e fushës, duke shënuar një prej golave më spektakolarë në historinë e Dardanëve.
Dhe tani, pas një karriere të gjatë jashtë vendit, vjen kapitulli i ri.
Për herë të parë në karrierën e tij, Besar Halimi do të luajë në Kosovë dhe këtë do ta bëjë në qytetin prej nga e ka prejardhjen, me fanellën e Dritës.
Një futbollist i lindur e rritur në Gjermani, me eksperiencë të madhe ndërkombëtare dhe 32 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, tashmë do të zbresë në fushat e Kosovës ku mund të konsiderohet edhe si ardhja më e madhe në Superligë.
Drita ka bërë një goditje të jashtëzakonshme në merkato, Besar Halimi është bardh e kaltër./Olle/










