Disa shkolla në Gjilan vazhdojnë të përballen me mungesë të mësimdhënësve, ndërsa procesi i konkursit për plotësimin e vendeve të lira ende nuk ka përfunduar.
Edhe pse jemi në mes të muajit shtator, në disa shkolla të Komunës së Gjilanit ende nuk janë plotësuar pozitat për lëndë konkrete, duke bërë që një pjesë e orëve mësimore të mos zhvillohen sipas planit.
Sipas informatave, bëhet fjalë për rreth 200 orë mësimore të humbura në javë, apo afërsisht 600 orë që nga fillimi i procesit mësimor, ndërsa ende nuk është bërë e qartë se si do të kompensohen këto orë dhe çfarë masash do të ndërmerren për nxënësit që po mbesin pa mësim.
Në konkursin për plotësimin e vendeve të lira të punës kanë aplikuar një numër i madh i kandidatëve, ndërsa procesi i përzgjedhjes ende nuk është përmbyllur.
Prindër të nxënësve kanë ngritur shqetësimin e tyre lidhur me moszhvillimin e orëve të caktuara dhe kanë kërkuar sqarime se çfarë po ndodh me këto orë të humbura dhe kur pritet të zgjidhet problemi.
Mbetet të shihet se kur do të përfundojë procesi i përzgjedhjes së mësimdhënësve dhe nëse orët e humbura do të kompensohen për nxënësit.
Për situatën në fjalë pritet të ketë sqarime edhe nga institucionet përgjegjëse të arsimit në Komunën e Gjilanit./Radio Star/










