Jemi ardhë në atë derexhe sa e kemi tejkalua vetën tonë. Ne refuzojmë me ngulm t’ia përmirësojmë jetën vetvetes, familjes, rrethit shoqëror. Jemi një popull që ose mendojmë kryekëput për vete, ose e injorojmë krejt vetën.
Shkruan: Ardian Azemi
Të parët janë pak, por që suksesshëm arrijnë të mbijetojnë në kurriz të kategorisë së dytë e që fatkeqësisht jemi shumicë. Unë i takoj të dytës që ia thej të parës! Po bëhen nëntëmbëdhjetë vjet e kurrë nuk u fol për neve, qytetarëve pra. Fillimisht me u rehabilitua psiqikisht nga lufta, tani për ta bë një zgjidhje për mbijetesë.
Dikur u nis muhabeti për statusin final të Kosovës, dhe kësisoj shkuan tetë vjet. Pa i pa hiç, në të njëjtën kohë pa mundur me i çelë sytë kurrë. Hallall, sepse vendi ynë ishte i askujt. Vend pa mbiemër bre! Pasi u bëmë shtet, thoshin i pavarur edhe demokratik, nisi lufta kryesore; kush çka me marrë, dhe filloi indetifikimi i tradhtarëve, kriminelëve, hajnave, sigurisht, në vendin ku duhet me u gatue ligjet.
Ama, kurrë askush nuk u thirr me kallzue pse i ka thënë kriminel, hajn, tradhtar. Jo, sepse thamë se u bëmë shtet përveç i pavarur, edhe demokratik. Në demokraci lejohet që si të zgjohesh në mëngjes, pak që ke kohë, nisja shaj, ofendo, etiketo qysh të duash e sa të duash njerëz, sepse demokracia jonë ta lejon, është liberale!
Tu u sha e fyer disa herë në ditë, çdo ditë të javës, bile edhe në vikend, erdhëm në vitin 2018-ë. Nëntëmbëdhjetë vjet, kurrë pa u ndal tu u sha. Edhe për çka..?!
Disa me mbijetue në pushtet, e disa me ardhë në pushtet. Domethënë, ajo kategoria që e duan vetën. Ndërsa ne, të cilët absolutisht nuk na intereson për vetën, duart i kemi thye tu i duartrokit veprimeve banale, banditeske, idioteske, të tyre. Ata shfrytëzo, na lavdëro, ata qesh me neve, na duartrokit.
Por, ku jemi sot?! Pse trishtohemi kur sëmuremi?! Pse kemi mbet “gugjarë”?! Pse nuk guxojmë t’i drejtohemi gjykatave për kurrgjë?! Pse durojmë, në fakt vazhdojmë të durojmë?!
Ne akuzojmë kryeministrin e fundit për krejt dëmet që ata para këtij na kanë shkaktue. E dini si jemi ne..? Lehtësisht mund ta bëjmë kryeministër atë të parafundit, sepse mllefi ynë, pakënaqësia jonë, zgjatë sa gjysma e mandatit të një qeverie. Ndoshta edhe më pak.
Veriu i Kosovës, shkëmbimi i territoreve, ndryshimi i kufijve, bashkimi kombëtar, janë tema që na kanë bërë që indirekt ta urrejmë vetën, anipse ne nuk arrijmë ta kuptojmë sa shumë ia kemi inat vetvetes.
Politika na ka bërë dembel, na ka prishë moralisht, na ka bërë njerëz pa ndjenja, pa fije njerëzie. Ne duam të fitojmë, të bëhemi të pasur ama pa punua dhe mundësisht si shpejt. Ne nuk e duam suksesin e tjetrit, anipse ne jemi direkt pjesë e atij suksesi.
Assesi nuk mundemi me pranua mendimin ndryshe, nëse s’kemi argumente me demantua, të paktën ia shajmë nënën, pa pikë faji.
Definitivisht është koha me u marrë me vetveten, sepse veç kështu kemi me arrit me bë një shtet funksional. Nuk duhet me lejua që ata të cilët e duan veç vetën e tyre, me na shtypë me ligj, ngase ligji nuk duhet të jetë mjet ndarës mes dy kategorive, por mbi të gjithë.
Do të vij dita që askujt nuk ka me i interesua se çka po bëhet me kufijtë, Veriun, bashkimin kombëtar, sepse rruga që kemi përzgjedh si shoqëri, na shpie kah thellimi i fukarallëkut, dhe vijmë në një situatë kur përveç mbijetesës s’ka me na interesua asgjë.