Dhomat e Specializuara në Hagë kanë nisur procedurën për kompensimin e viktimave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Vendimi për nisjen e procedurave për reparacionet është marrë më 16 shtator nga kryetari i Trupit Gjykues, Charles L. Smith. Bëhet fjalë për një procedurë për përcaktimin e reparacioneve për viktimat. Sipas vendimit, Mbrojtja ka afat deri më 22 shtator për të kundërshtuar nisjen e kësaj procedure.
Nisja e kësaj procedure, para se të merret vendimi në shkallën e dytë apo në Gjykatën e Apelit, ka hapur diskutimin nëse kompensimi i viktimave duhej të niste në këtë fazë apo pas përfundimit të procesit gjyqësor.
Avokati Naim Bajraktari thotë se, si rregull, procedura për kompensimin e viktimave duhet të nisë pasi vendimi penal të bëhet i formës së prerë.
Sipas tij, për sa kohë që aktgjykimi mund të ndryshojë në shkallën e dytë, nisja e procedurës në këtë fazë është e parakohshme.
Si rregull, procesi i kompensimit të viktimave fillon pas plotfuqishmërisë së vendimit. Mirëpo, kur jemi te Gjykata Speciale, anomalitë, veprimet në kundërshtim me ligjin kanë qenë ato që e kanë karakterizuar në vazhdimësi procesin, prandaj një gjë e tillë ka qenë në vazhdimësi diçka e rëndomtë për këtë gjykatë, edhe vlerësoj që mbi të gjitha një veprim, vendim i tillë është i parakohshëm për aq kohë sa nuk kemi akoma vendim të plotfuqishëm”, ka thënë Bajraktari.
Sipas tij, vendimi i Apelit mund të ndryshojë edhe bazën mbi të cilën po zhvillohet procedura e kompensimit të viktimave.
Ndryshe e interpreton këtë çështje ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, sipas të cilit procedura për kërkesën pasurore-juridike mund të zhvillohet krahas çështjes penale dhe nuk është e domosdoshme të pritet vendimi i Gjykatës së Apelit.
Sipas Hasanit, qëllimi i një procedure të tillë është që viktimat të mund ta realizojnë të drejtën për kompensim brenda procesit penal, pa qenë të detyruara të nisin një proces të veçantë civil.
Megjithatë, ai lë të hapur mundësinë që Dhomat e Specializuara, për shkak të rregullave të tyre të brendshme dhe specifikave të këtij procesi, të kenë përcaktuar një procedurë të veçantë për reparacionet.
Hasani thekson se baza për kompensim lidhet drejtpërdrejt me një aktgjykim dënues. Nëse një i akuzuar lirohet nga akuza ose aktakuza refuzohet, sipas tij, ndryshon edhe baza për kërkesën pasurore-juridike.
Procedura e reparacioneve lidhet me përcaktimin e të drejtave të viktimave për kompensim dhe me vlerësimin e dëmit që pretendohet se u është shkaktuar.
Në këtë fazë, palët mund të paraqesin qëndrimet dhe kundërshtimet e tyre lidhur me këtë çështje, ndërsa vendimmarrja përfundimtare do të varet nga ecuria e procedurës.
Aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj katër ish krerëve të UÇK-së është vendim i shkallës së parë dhe procedurat e ankesës mund të ndikojnë në përfundimin përfundimtar të çështjes, pra i vendimit në Gjykatën e Apelit.
Më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për krimet e luftës të ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, ndërsa i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim duke llogaritur edhe kohën e qëndrimit në paraburgim.










