Kancelari gjerman , Friedrich Merz është zotuar se do të qëndrojë në detyrë, pavarësisht rezultateve të dobëta të partisë së tij, CDU-së, në dy zgjedhje lokale të zhvilluara në Gjermani.
Në landin verilindor Mecklenburg-Vorpommern, CDU-ja fillimisht pritej të siguronte një rezultat shumë të dobët, ndërsa gjatë numërimit të votave rezultati i saj ra nën pragun prej 5 për qind, i nevojshëm për të hyrë në parlamentin e landit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Merz e cilësoi rezultatin si “një katastrofë” për partinë e tij.
Ndërkohë, në Mecklenburg-Vorpommern, partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) pritej të merrte numrin më të madh të votave. Megjithatë, mundësitë e saj për të formuar qeverinë mbeten të kufizuara, pasi partitë e tjera kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me të.
Në Berlin, CDU-ja qeverisëse pritej gjithashtu të pësonte humbje përballë partisë Die Linke (E Majta).
Rezultatet e fundit shtojnë presionin ndaj Merzit, i cili përballet prej kohësh me nivele të ulëta të mbështetjes në sondazhe dhe diskutime brenda skenës politike gjermane për të ardhmen e qeverisë së tij. Në skenarin e një ndryshimi të mundshëm të kancelarit gjatë mandatit, në Gjermani është përdorur edhe termi “chancellor swap”.
Zgjedhjet u zhvilluan vetëm dy javë pas një tjetër goditjeje për CDU-në, kur partia pësoi rënie të ndjeshme të votave në Saksoni-Anhalt, ndërsa AfD shënoi një fitore të rëndësishme.
Megjithatë, Merz ka bërë të qartë se nuk planifikon të tërhiqet.










