Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar sot, me vota unanime, një deklaratë përmes së cilës shpreh mospajtimin me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklarata, e iniciuar nga këshilltari komunal Bujar Nevzati (PDK), ka marrë mbështetjen e të gjitha grupeve të këshilltarëve komunalë.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Krenare Latifi Kqiku, ka theksuar se kjo çështje ka peshë të veçantë për Gjilanin, duke kujtuar humbjet dhe sakrificën e qytetarëve gjatë luftës.
“Për Gjilanin, kjo çështje ka peshë të veçantë, pasi gjatë luftës në Kosovë humbën jetën 98 civilë dhe ranë 50 dëshmorë, ndërsa shumë familje dhe fshatra u përballën me shkatërrim dhe djegie të tërësishme nga forcat serbe”, ka thënë Latifi Kqiku.
Nënkryetari i Komunës, Arianit Sadiku, e ka cilësuar dënimin si të padrejtë dhe jashtë çdo norme ligjore e logjike, duke shprehur besimin se ai do të korrigjohet shumë shpejt.
Përmes deklaratës, Kuvendi shpreh solidaritetin me qytetarët e Gjilanit, veçanërisht me familjet e të rënëve, si dhe me familjet e martirëve, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së.
Me mesazhin “JO NË EMRIN TIM!”, deklarata shpreh mospajtimin me vendimin dhe kërkon që në procedurat e mëtejshme gjyqësore të shqyrtohen me kujdes të gjitha pretendimet, provat dhe çështjet që lidhen me përgjegjësinë individuale të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.










