Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar sot, me shumicë votash, propozimin e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë për ndarjen e dy hektarëve pronë komunale për ndërtimin e Muzeut dhe Kullës “Agim Ramadani” në Zhegër.
Ky projekt, i cili do të realizohet në vendlindjen e heroit Agim Ramadani, synon ruajtjen dhe promovimin e historisë, veprës dhe sakrificës së tij, duke ua përcjellë brezave të rinj vlerat e guximit dhe lirisë.
Muzeu dhe Kulla do të shërbejnë si hapësirë kujtese dhe edukimi, ku qytetarët dhe vizitorët do të kenë mundësi të njihen më afër me jetën dhe kontributin e heroit.
Komuna e Gjilanit falënderon Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për bashkëpunimin, Këshillin e Fshatit Zhegër dhe Shoqatën Kulturore “Ditët e Agimit” për angazhimin, si dhe këshilltarët komunalë për mbështetjen e këtij propozimi.










