Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar marrëveshje të re bashkëpunimi me drejtoreshën nacionale të organizatës Help në Kosovë, Shqipe Breznica, për vazhdimin e mbështetjes së bizneseve lokale përmes granteve.
Marrëveshja është pjesë e projektit “Punë dhe Aftësi për Parandalimin e Migrimit në Kosovë”, i financuar nga Zyra Federale Gjermane për Migracion dhe Refugjatë (BAMF).
Sipas Hysenit, kjo është hera e katërt me radhë që Komuna e Gjilanit vazhdon bashkëpunimin për mbështetjen e ndërmarrësve lokalë.
Në kuadër të projektit, më shumë se 30 biznese të reja dhe ekzistuese do të përfitojnë grante në formë të pajisjeve dhe materialeve të punës. Vlera mesatare e grantit për secilin përfitues është 2,500 euro, ndërsa vlera e përgjithshme e projektit arrin në 87,500 euro.
Komuna e Gjilanit do të bashkëfinancojë 49 për qind të mjeteve të projektit.
Përveç mbështetjes materiale, përfituesit do të kenë mundësi të ndjekin trajnime profesionale, si dhe të përfitojnë mentorim dhe këshillim për zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve të tyre.
Kryetari Alban Hyseni ka theksuar se përmes këtij bashkëpunimi synohet fuqizimi i ekonomisë lokale, mbështetja e ndërmarrësisë dhe krijimi i mundësive të reja për punësim, veçanërisht për të rinjtë.










