Faqja e Wikipedia-s për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, është përditësuar, duke ndryshuar pjesën hyrëse të biografisë së tij dhe duke shtuar shpjegime për procesin.
Ndryshimi është bërë i ditur nga Blerton Abazi, i cili ka publikuar edhe pamje të faqes së Wikipedia-s. Ai shkruan se pjesa ballore e tekstit është ndryshuar, ndërsa poshtë saj është shtuar shpjegimi i gjithë procesit.
“Lajm i mirë. Pjesa ballore e tekstit u ndryshua ndërsa poshtë është shtuar shpjegimi i gjithë procesit”, ka shkruar Abazi.
Ai ka shtuar se, megjithëse sipas tij versioni i ri nuk është më i miri, në hapjen e faqes nuk figuron më teksti i mëparshëm.
Në fund, Abazi ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan, duke veçuar grupin e Wikipedia-s.
Në pamjet e publikuara shihet edhe versioni aktual i artikullit në gjuhën angleze për Hashim Thaçin, ku përshkrimi hyrës përfshin të dhëna për karrierën e tij politike, ndërsa më poshtë trajtohen edhe çështjet që lidhen me rolin e tij në UÇK dhe aktakuzën e Dhomave të Specializuara.










