Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është shënuar nata e 13-të e protestës kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tubim i cili mblodhi një numër edhe më të madh qytetarësh krahasuar me netët e kaluara.
Mes qindra pjesëmarrësve ishin familjarë, veteranë dhe fëmijë.
Një ish-luftëtar i UÇK-së, i cili kishte dalë bashkë me familjen dhe vajzën e tij të vogël, theksoi përkushtimin për të mbrojtur historinë e luftës çlirimtare.
Që nga dita e parë deri në ditën e sotme, pothuajse vazhdimisht jemi në protesta. Por jo vetëm vetë, jam edhe me familje, me miq, me shokë dhe me të gjithë ata që e duan këtë vend,” u shpreh ai.
Në këtë natë në qendër të kryeqytetit nuk mungoi as thirrja e përbashkët e betimit të ushtarit të UÇK-së, ku të pranishmit njëzëri përsëritën fjalët.
Nga skena, organizatorët e vlerësuan pjesëmarrjen si të pathyeshme, duke theksuar se pasuria më e madhe e Kosovës janë vetë njerëzit e saj.
Po ashtu, u paralajmërua se zërat nuk do të shuhen dhe se çdo ditë e çdo natë do të shtohet mobilizimi.
Qytetarët e mbledhur në shesh përsëritën kërkesën kryesore drejtuar institucioneve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë, duke brohoritur në kor thirrjen “Votone ligjin!”.










