Është sërish koha e kthimit në shkollë, por krahas përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, në qendër të debatit po rikthehen edhe çështjet që prej vitesh shqetësojnë mësimdhënësit në Kosovë – pagat, kushtet e punës dhe mungesa e stafit në institucionet arsimore.
Një prej çështjeve më të diskutuara mbetet niveli i pagave. Krahasimi me vendet e Bashkimit Evropian tregon një hendek të konsiderueshëm në të ardhurat vjetore të mësimdhënësve.
Në vitin shkollor 2024/2025, Luksemburgu ishte vendi i Bashkimit Evropian me pagat më të larta për mësimdhënësit në shumicën e niveleve të arsimit, si në fillim të karrierës, ashtu edhe në nivelet më të larta të saj.
Luksemburgu kryesonte bindshëm sa i përket pagave të mësuesve. Në fillim të karrierës, ata paguheshin nga 55 mijë deri në 62 mijë euro në vit, ndërsa në kulmin e karrierës pagat arrinin nga 97 mijë deri në 109 mijë euro.
Në anën tjetër, paga mujore e një mësimdhënësi në Kosovë sillet rreth 725 euro, që në bazë vjetore përkthehet në rreth 8 mijë e 700 euro.
Kjo krijon një diferencë të theksuar me pagat vjetore të mësimdhënësve në vendet e BE-së, veçanërisht në shtetet ku arsimi dhe profesionet e lidhura me të kanë nivele dukshëm më të larta të pagave.
Për mësimdhënësit në Kosovë, çështja e pagave nuk është e re. Prej vitesh, sindikata e arsimit kaë kërkuar rritje të pagave dhe përmirësim të pozitës ekonomike të punonjësve të arsimit. /AlbanianEducation.net/.










