Erson Zymberi ka përmbyllur mandatin e tij të dytë si drejtor i Teatrit të Gjilanit.
Përmes një postimi, Zymberi ka shprehur mirënjohjen për aktorët, kolegët, bashkëpunëtorët artistikë, stafin teknik e administrativ, partnerët dhe publikun, të cilët i ka konsideruar pjesë të rëndësishme të punës së tij gjatë kësaj periudhe.
Ai ka thënë se vitet në drejtimin e teatrit ia kanë forcuar bindjen se një teatër ndërtohet përmes besimit, bashkëpunimit dhe hapësirës për ide e njerëz.
Pas përfundimit të detyrës si drejtor, Zymberi ka bërë të ditur se do ta vazhdojë angazhimin profesional në Fakultetin e Arteve, në cilësinë e profesorit të Regjisë së Teatrit.
Në mesazhin e tij të lamtumirës nga drejtimi i institucionit, Zymberi i ka uruar Teatrit të Gjilanit punë të mbarë, guxim artistik dhe një publik besnik e kërkues.
“Teatri ka qenë këtu para nesh dhe ka me vazhdu edhe pas nesh; unë pata fatin me i shërby për një kohë”, ka shkruar Zymberi.










