Bashkimi Evropian ka komentuar protestat e zhvilluara në Kosovë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se demonstratat paqësore janë pjesë e të drejtave themelore në një shoqëri demokratike.
Në një përgjigje për Front Online, një zëdhënës i BE-së tha se institucioni evropian po e përcjell nga afër situatën në Kosovë.
“Demonstratat paqësore janë një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
BE-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë situatën në vend.
“Ne do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër situatën”, thuhet më tej në përgjigjen e zëdhënësit evropian.
Duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me protestat e zhvilluara para zyrave të misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, BE-ja ka dhënë edhe një sqarim për funksionimin e këtij misioni.
“Për informacionin tuaj, mund të konfirmojmë gjithashtu se EULEX-i është plotësisht funksional”, thuhet në përgjigje.
Reagimi i BE-së vjen pas protestave dhe zhvillimeve në Kosovë që pasuan aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë. Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për vepra penale të luftës.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.










