Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për Dhomat e Specializuara me 91 vota pro, shkruan Gazeta Metro.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se do ta mbështesë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se pas zgjedhjes së presidentit duhet të punohet së bashku për një strategji shtetërore e kombëtare.
Kurti ka theksuar se rruga për të arritur fitoren, sipas tij, është përmes apelit.
“Adresa e fitores është Apeli. Aty duhet të dalim triumfues”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se organizimi duhet të jetë shtetëror dhe kombëtar, e jo partiak apo joqeveritar. “Organizimi duhet të jetë shtetëror e kombëtar. Organizimi s’bën të jetë partiak e joqeveritar”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka shtuar se veprimet pa një strategji të qartë nuk mjaftojnë, duke theksuar se për një strategji të qëndrueshme nevojitet edhe një shtet i qëndrueshëm dhe funksional.
“Nuk ndihmojnë veprimet e gjestet pa strategji e para strategjisë”, ka deklaruar Kurti.
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit tha se lufta e UÇK-së është luftë e drejtë dhe luftë e popullit.
“Populli i Kosovës për lirin e vet, për shtetin e vet është organizuar përmes UÇK-së dhe e ndihmuar nga NATO dhe vendet demokratike, të botës demokratike është fituar liria dhe ka ardhur pavarësia”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së pati kritika të ashpra rreth veprimtarisë së Dhomave të Specializuara.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e mbështet nismën e propozuar në Kuvend nga PDK-ja për ndryshimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara.
Lushaku-Sadriu ka ngritur shqetësime lidhur me pasojat juridike dhe kushtetuese që, sipas saj, mund të sjellin ndryshimet e propozuara.
“Ndryshimet e miratuara nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit kushtetues. Pasojat e saj juridike dhe kushtetuese mund t’i mbeten shtetit. Për LDK-në rruga e vetme për ta ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore përmes apelit dhe shterimit të mjeteve juridike”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për funksionimin e institucioneve përkatëse.
“Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për një mbështetje funksionale dhe të efektshme”, ka deklaruar ajo.
Në fund, Lushaku-Sadriu ka bërë të qartë se LDK-ja nuk do të votojë për këtë nismë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme”, ka përfunduar ajo./gazetametro.net


