Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar për zhvillimet e fundit politike, duke theksuar qëndrimet e tij dhe të partisë që drejton për raportet me Kosovën, SHBA-në dhe të kaluarën e luftës.
Abdixhiku ka thënë se të jesh pjesë e LDK-së, sipas tij, nënkupton ruajtjen e orientimit politik të trashëguar nga Ibrahim Rugova dhe angazhimin për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe në miqësi me Shtetet e Bashkuara.
Ai ka theksuar edhe lidhjen që, sipas tij, LDK-ja ka me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe NATO-n.
“UÇK-ja është edhe gjaku ynë. Me Amerikën e NATO-n na lidh vetë liria. Asnjë tregtari patriotizmi nuk ia lejojmë ta përvetësojë historinë që e bëmë bashkë”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka deklaruar se etiketimet dhe kërcënimet nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e partisë.
“LDK-ja e di kujt i jep llogari; Kosovës dhe njerëzve të saj”, është shprehur ai.
Abdixhiku ka kritikuar gjithashtu zhvillimet institucionale në vend, duke thënë se Kosova sot është “pa institucione, pa mundësi mbrojtjeje, pa kohezion minimal”.
Sipas tij, po të ishte ndjekur vizioni i LDK-së, Kosova do të kishte President dhe stabilitet institucional, si dhe angazhim institucional për mbrojtjen e së vërtetës së luftës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në fund, Abdixhiku e ka mbyllur reagimin me një pyetje drejtuar atyre që, sipas tij, kanë kundërshtuar këtë qasje:
“Çështja është, kujt i shërbyen, në të vërtetë?”


