Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim publik për stafin shëndetësor të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, për kujdesin dhe trajtimin profesional që i është ofruar babait të saj, Jakup Iljazit.
Sinani ka veçuar në mënyrë të posaçme Shërbimin e Emergjencës në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, për trajtimin dhe përkushtimin e treguar të dielën, më 4 tetor.
Ajo ka falënderuar veçanërisht kardiologun, dr. Arlind Feratin, duke vlerësuar profesionalizmin, qetësinë dhe përkushtimin e tij, si dhe neurologun, radiologun, infermieret e dy ndërrimeve dhe pjesëtarët e tjerë të stafit shëndetësor që ishin pranë familjes së saj.
Në mesazhin e saj, Sinani ka theksuar rëndësinë e qasjes njerëzore të profesionistëve shëndetësorë në momente të vështira për familjet.
“Faleminderit për trajtimin profesional, përkujdesjen, kushtet dhe, mbi të gjitha, për qasjen njerëzore ndaj babait tim dhe ndaj nesh si familje”, ka shkruar Sinani.
Ajo ka shprehur mirënjohje edhe për stafin e Urgjencës në Preshevë, duke veçuar dr. Agim Sabedinin, teknikun medicinal Mirton Rushiti dhe pjesëtarët e tjerë të shërbimit për gatishmërinë dhe kujdesin e treguar.
Sinani ka përfunduar mesazhin e saj me mirënjohje për të gjithë profesionistët shëndetësorë, duke theksuar se puna dhe përkushtimi i tyre kanë vlerë të madhe për qytetarët, veçanërisht në momentet kur kanë më së shumti nevojë për ndihmë.


