Bashkimi Evropian shprehu shqetësim të thellë për ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Zyrtarët në Bruksel vlerësojnë se votimi i mbrëmshëm bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
“BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe është i sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati i tyre aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht”, deklaroi një zëdhënës i BE-së.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, sipas tij, po vendosin drejtësi bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Brukseli përshëndeti zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka-Pula dhe tha se pret rikthimin e stabilitetit institucional, i cili do t’i mundësojë Kosovës të përparojë në rrugën e saj evropiane dhe të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron BE-ja.
“Ndonëse BE-ja është e gatshme ta mbështesë Kosovën edhe më tej, partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkët”, nënvizoi zëdhënësi.


