Komuna e Kamenicës vë në dispozicion objektin për hapjen e Zyrës Sektoriale të Policisë në Karaçevë të Poshtme
Komuna e Kamenicës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan për hapjen e një Zyre Sektoriale të Policisë në Karaçevë të Poshtme, me qëllim të forcimit të sigurisë dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.
Marrëveshja është nënshkruar nga përfaqësuesit e Komunës së Kamenicës dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi. Në kuadër të saj, komuna ka vënë në dispozicion të Policisë ish-objektin e AMF-së në Karaçevë të Poshtme, pronë komunale që do të shfrytëzohet për funksionalizimin e zyrës së re policore.
Sipas njoftimit të komunës, Policia do të pajiset gjithashtu me inventar të ri dhe pajisje teknologjike, të cilat synojnë të lehtësojnë punën e zyrtarëve policorë dhe të përmirësojnë kushtet e ofrimit të shërbimeve.
Komuna e Kamenicës ka theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional është i rëndësishëm për rritjen e efikasitetit të institucioneve dhe forcimin e sigurisë publike.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, përfaqësuesit e komunës kanë vizituar edhe Stacionin Policor në Kamenicë, ku kanë parë nga afër funksionimin e sistemit të kamerave të sigurisë, të cilat janë vendosur si një masë shtesë për rritjen e sigurisë në komunë.










