Tragjedia në Gjilan ka tronditur vendin.
Klan Kosova ka marrë një version të ngjarjes së rëndë në Livoç të Ulët, ku një person dyshohet se vrau bashkëshorten dhe vëllain e saj, ndërsa plagosi xhaxhain e tyre, për motive akoma të panjohura.
Një dëshmitar nga vendi i ngjarjes ka treguar momentet kritike të rastit.
Ky qytetar ka treguar se palët kanë qenë në dy automjete, i dyshuari bashkë me gruan e tij, ndërkaq miqtë, vëllai i nuses dhe xhaxhai, në një veturë tjetër.
Sipas tij, i dyshuari ka dalë nga vetura dhe ka shkuar te automjeti i kunatit të tij, të cilin e ka qëlluar me armë zjarri, duke e vrarë në vend. Më pas, ai thotë se i njëjti e ka plagosur xhaxhain e gruas.
Nga aty, i njëjti është nisur për në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit, ku e ka dërgua vetë gruan, të cilën po ashtu dyshohet se e ka vrarë.
Fatkeqësisht, viktima ka qenë pa shenja jete dhe vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor.
Trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa i lënduari është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Dorasi që ngarkohet me krimin e rëndë është dorëzuar më pas në Polici, me ç’rast është sekuestruar edhe arma e rastit.
Dy prokurorë të Shtetit janë marrë me rastin dhe brenda afatit ligjor pritet të bëhet kërkesa për masën e paraburgimit.
Kjo u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës, në një deklaratë zyrtare.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, si dhe dy prokurorë të Shtetit, me ç’rast është konstatuar se bëhet fjalë për një incident të rëndë, ku dyshohet se nga arma e zjarrit është vrarë një person i gjinisë mashkullore rreth 30-vjeçar i cili është gjetur brenda një veture. Po ashtu ne vendin e ngjarjes ka dal edhe Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Gjithashtu në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan është sjellë pa shenja jete një person i gjinisë femërore, rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se po ashtu është vrarë nga arma e zjarrit nga i njëjti i dyshuar.
Ndërkohë, një person tjetër i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Sipas informatave fillestare, dyshohet se në mes të të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Deri në këtë fazë të hetimeve, motivi që ka çuar në këtë ngjarje ende nuk dihet.
I dyshuari është vetë dorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.”










