Një ngjarje e rëndë ka tronditur të premten Livoçin e Ulët të Gjilanit, ku dy persona u vranë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë nga të shtënat me armë zjarri.
Për rastin dyshohet Valon Ramushi, i cili, sipas autoriteteve, vrau bashkëshorten e tij, Nafije Bogujevci, dhe vëllain e saj, Egzon Bogujevci.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas informatave të publikuara deri më tani, Ramushi dyshohet se ka përdorur një pistoletë të tipit “Bereta”, për të cilën Prokuroria ka bërë të ditur se kishte leje të skaduar.
Përveç dy viktimave, nga të shtënat u plagos rëndë edhe Mazllum Bogujevci, 48-vjeçar, i afërm i familjes së bashkëshortes së të dyshuarit.
Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjike, ndërsa gjendja e tij u raportua e rëndë, por stabile.
I dyshuari u vetëdorëzua në Polici
Policia pranoi informatën për të shtënat rreth orës 14:26. Pas largimit të veturës së të dyshuarit nga vendi i ngjarjes, autoritetet aktivizuan operacionin “Unaza e Çeliktë” për lokalizimin e tij.
Megjithatë, rreth 16 minuta pas pranimit të informatës, në orën 14:42, Valon Ramushi u vetëdorëzua në Stacionin Policor.
Çfarë dihet për të kaluarën e të dyshuarit?
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale dhe se, sipas të dhënave të deritanishme, ndaj tij nuk ishte raportuar më parë ndonjë rast i dhunës në familje.
Në kuadër të hetimeve, kontrolle janë kryer edhe në tri lokacione të pronave të të dyshuarit.
Hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat dhe motivin e mundshëm të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi Gjilanin.










