Gjilan, 13 shtator 2018 – Me rastin e ndarjes nga jeta të themeluesit të Radio Gjilanit, Sabit Zymberi, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka ngushëlluar familjen e tij dhe komunitetin e gazetarëve. Në telegramin e ngushëllimit thuhet:
“E nderuara familje Zymberi,
Me pikëllim e mora lajmin për ndarjen nga jeta të doajenit të gazetarisë gjilanase, njeherit themelues i Radio Gjilanit, Sabit Zymberit.
Sabitin do ta kujtojmë përgjithmonë për kontributin e madh në fushën e arsimit e gazetarisë, ndërkaq është bërë ikonë si themelues i Radio Gjilanit, mediumit që sivjet ka mbushur plot 45 vjet jetë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, shokëve, miqve dhe komunitetit të gazetarëve. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet në telegram.