Komuna e Kamenicës do të ndajë 25 mijë euro për uniformat shkollore për të gjithë nxënësit e klasave të dhjeta, ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Kadri Rahimaj.
Sipas Rahimajt, ky investim është pjesë e angazhimeve në fushën e arsimit, me synimin për të promovuar barazinë sociale ndërmjet nxënësve dhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre.
Ai ka theksuar se uniformat shkollore, përveç krijimit të ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit, synojnë të forcojnë edhe përgjegjësinë institucionale dhe përkujdesjen ndaj nxënësve.
Përmes këtij investimi, Komuna e Kamenicës synon të mbështesë nxënësit dhe të krijojë kushte më të barabarta në procesin arsimor.










