Jam informuar se Policia e Kosovës po planifikon hapjen e Radio Policisë.
Kjo është një nga iniciativat më të mëdha propaganduese politike, me pasoja të pamatshme për indoktrinimin e publikut përmes propagandës shtetërore.
Shteti po e hapë median e saj në kundërshtim flagrant me parimet e organizatave ndërkombëtare të cilat janë kundër hapjes së mediave shtetërore.
Me aq sa posedoj informacione, Kosova do të bëhet shteti i vetëm në Europë me media shtetërore!
Po e ngris këtë shqetësim, me shumë kujdes, meqë nuk e kam ende pasqyrën e plotë të situatës. Shpresoj që mediat do të më ndihmojnë ta monitoroj këtë çështje.
Për çfarë bëhet fjalë?
Më 10 korrik, KPM-ja e ka vendosë në konsultim publik Rregulloren për Transmetime Eksperimentale.
Vetë emri i rregullores më pat bo me dyshu. Nga një hulumtim fillestar, e pata kuptu se transmetimet eksperimentale janë përdorë kryesisht në proceset e kalimit të televizioneve në transmetimin digjital dhe kabllor.
KPM-ja pastaj i pati ftu palët e interesume për të paraqitë komente. Unë kam dëshmi me shkrim që tregojnë shpërfilljen e konsiderueshme të komenteve të paraqituna. Ky detaj është i rëndësishëm, sepse tregon që konsultimi u bo sa për sy dhe faqe.
Më 7 gusht, KPM-ja e miratoi rregulloren. Pa dëgjim publik, pa ndonjë diskutim më të gjerë dhe pa e informu e përgatitë industrinë për këtë ndryshim madhor që mund të ndryshoje tërësisht skenën informative.
Besoj se e dini edhe vetë se në çfarë rrethanash anëtarët e komisioneve të tilla si KPM-ja nxitojnë t’i miratojnë rregulloret.
Nejse, kaloi 7 gushti dhe erdhi 9 tetori. KPM-ja publikoi agjendën e mbledhjes dhe çka ka në pikën 9? Kërkesë për lejimin e transmetimit eksperimental. Opa!
Nga e premtja deri më sot, të paktën tri burime më kanë thënë se bëhet fjalë për një kërkesë të paraqitur nga Policia. Sot i dergova pyetje Policisë e cila ma konfirmoi që është duke bë ‘përgatitje’ për hapjen e Radios.
Nëse KPM i jep frekuencë policisë për radio nesër ose kurdo, situata është alarmante për disa arsye.
1. Rregullorja është e paqartë dhe lehtësisht e keqpërdorshme. Rregullorja për Transmetime Eksperimentale është njëra prej rregulloreve më të dobëta që kam pa. Ajo nuk e ka një qëllim të qartë dhe mund të keqpërdoret lehtësisht nga kushdo që siguron licencë për transmetime eksperimentale.
2. Radio Policia, e financuar dhe e menaxhuar nga shteti, nuk është praktikë e zakonshme në demokracitë e botës. Disa shtete kanë mekanizma që mundësojnë lidhjen me radio në raste emergjente, por bëhet fjalë për shërbime krejtësisht të tjera. Në disa vende ku kam hasur raste të tilla janë Indonezia, Kolumbia dhe Jordania që si duket edhe atje janë mbyllur.
3. Radio Policia do të bëhet në një mjet propagandues i Lëvizjes Vetëvendosje sepse sektori i sigurisë menaxhohet nga VV-ja. Kjo do të jetë media, kush do të jetë drejtor, kush kryeredaktor, kush përgjegjës për përmbajtjen, kush përgjigjet në gjykatë për fyerje dhe shpifje…
4. Kosova nuk ka nevojë për Radio Polici. Policia nuk ka nevojë për kanal mediatik! Të gjitha shërbimet e komunikimit publik mund të realizohen në bashkëpunim me RTK-në dhe Radio Kosovën.
5. Kostoja është e madhe. Sipas analizës që e kam ba me ndihmën e disa njohësve të fushës, Radio Policia mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth gjysmë milioni euro.
6.Hapja e mediave shtetërore është në kundërshtim të thellë me parimet e Këshillit të Evropës dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Disa nga referencat që i gjeta shpejtë e ka shumë më shumë:
Rezoluta 428 (1970) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës: Ndalon qartë kontrollin direkt ose indirekt të pushtetit ekzekutiv mbi përmbajtjen e radiove dhe televizioneve.
Rekomandimi R(96) 10 i Komitetit të Ministrave: Ofron udhëzime të qarta se si të parandalohet kthimi i transmetuesit publik në një media shtetërore. Në kontekstin e Kosovës, kjo i bie që
Përveç që RTK-në e kanë vendosë në kontrollë politik, tash po vazhdojnë me hapjen e mediumeve shtetërore.
U bëj thirrje mediave dhe gazetarëve që ta hulumtojnë këtë çështje, të kërkojnë nga sot sqarime nga KPM-ja dhe Policia e Kosovës.
Nëse kërkesa e Policisë është kjo që është në agjendë, atëherë për këtë vendoset neser në ora 10.00 në mbledhjen e KPM-së. Më vjen keq që jam në udhetim dhe nuk do të mund ta monitoroj mbledhjen e KPM-së.










