Senati i Universitetit Publik “Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan ka shkarkuar Fatmire Krasniqin nga pozita e dekanes së Fakultetit Juridik.
Vendimi vjen pas një periudhe të gjatë kontestimesh për ligjshmërinë e zgjedhjes së saj, polemikave rreth dorëheqjes së paralajmëruar dhe kundërshtimeve të një pjese të stafit akademik.
Ndërkohë, edhe Këshilli Drejtues i universitetit kishte iniciuar më herët procedurën për shkarkimin e saj, me vota unanime.
Shkarkimi i Krasniqit shënon një zhvillim të rëndësishëm në drejtimin e Fakultetit Juridik, ku për një kohë të gjatë ishin ngritur kundërshtime lidhur me legjitimitetin e mandatit të saj, mënyrën e ushtrimit të funksionit dhe funksionimin e brendshëm të fakultetit.
Një nga çështjet kryesore në këtë rast është aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan, i datës 29 janar 2025, në çështjen civile C.nr. 2546/23, lidhur me procesin e zgjedhjes së Fatmire Krasniqit.
Gjykata kishte konstatuar parregullsi dhe paligjshmëri në procesin zgjedhor, të lidhura me veprimet e Komisionit Zgjedhor dhe të menaxhmentit të atëhershëm të universitetit.










