Gani Geci është paraqitur në polici dhe po merret në pyetje për rastin e kërcënimit të Lirim Mehmetajt.
Ish-deputeti Gani Geci është paraqitur në Policinë e Kosovës të hënën në mbrëmje, nën dyshiminin për kërcënimin e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Ai aktualisht po merret në pyetje nga hetues të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Prishtinë, merr vesh Paparaci nga burime brenda policisë.
Burimet i kanë thënë Paparacit se ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës po merret në pyetje në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale të kanosjes.
Gazetari Lirim Mehmetaj tha se e ka kallëzuar penalisht për kanosje Gecin të hënën në mëngjes.
Në emisionin Debat Plus të Rtv Dukagjinit, Mehmetaj tha se është kontaktuar nga ish-deputeti Geci të dielën, i cili ka kërkuar largimin ose ndryshimin e një postimi të tij për Fatos Gecin, deputetin anëtar të familjes Geci nga Llausha.
Mehmetaj u shpreh se nuk ka pranuar ta largojë statusin.
“Deputeti i VV-së, Fatos Geci ka bo një publikim ku ia adreson Thaçit dhe të tjerëve 144 vrasje. Unë e kam sqaruar se kjo nuk qëndron. Ai është një analfabet. Prej familjes Geci më kanë kontaktu dje, më kanë thënë me e hjek postimin, kam thënë jo – njëherë me te të mirë, pastaj kanë vazhduar me forma tjera”, deklaroi ai.
Mehmetaj tha se pastaj përfaqësues të familjes Geci i kanë shkuar në zyrë ku e kanë kërcënuar për largimin e postimit për Fatos Gecin.
“Unë mangup nuk jam. I jam drejtuar institucioneve policore ku e kam lajmëruar rastin”, tha gazetari.
Gazetari u shpreh se nuk do ta largojë postimin për deputetin Fatos Geci.
Ndërkohë, moderatori i emisionit Debat Plus, Ermal Panduri tha se Gani Geci, i kallëzuari për kërcënim ndaj gazetarit Mehmetaj, ndodhej në parkingun e objektit të televizionit derisa ai bashkë me Mehmetajn ndodheshin në emision live të hënën në mbrëmje.










