Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ka nënshkruar marrëveshje financimi në vlerë prej 41 milionë eurosh me Bankën Evropiane të Investimeve (EIB) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), për modernizimin e pajisjeve mjekësore në institucionet publike shëndetësore të vendit.
Secili institucion financiar do të kontribuojë me nga 20.5 milionë euro, të cilat do të përdoren për blerjen e pajisjeve moderne mjekësore për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe gjashtë spitalet e përgjithshme rajonale.
Investimi përfshin pajisje të avancuara diagnostikuese dhe terapeutike, përfshirë skanerë CT, pajisje ultrazëri dhe pajisje për sallat e operacionit, si dhe mbështetjen për përmirësimin e kapaciteteve të njësive të kujdesit kritik.
Sipas njoftimit, projekti synon të përmirësojë cilësinë, qasjen dhe kapacitetin e shërbimeve publike shëndetësore për rreth 1.6 milionë qytetarë, duke forcuar diagnostikimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj pacientëve në të gjithë Kosovën, me vëmendje të veçantë edhe për familjet dhe grupet më të cenueshme.
‘Përgatitja e projektit është mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian, përmes një granti prej 1.25 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), për studimin e fizibilitetit dhe përgatitjen e tij. Gjithashtu, CEB ka miratuar një grant shtesë deri në 750 mijë euro për mbështetje ekspertësh gjatë zbatimit.
Përmes këtij investimi, Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të forcojë sistemin publik shëndetësor dhe të përmirësojë kushtet për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, duke u mundësuar profesionistëve shëndetësorë qasje në teknologji moderne dhe qytetarëve kujdes më cilësor e më të qasshëm. Ky bashkëpunim me partnerët financiarë evropianë dëshmon rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar në mbështetjen e investimeve strategjike dhe në avancimin e shërbimeve publike në Kosovë”, thuhet në njoftim./Arbresh.info










