Ish-kandidati për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, duke ngritur shqetësime për gjendjen e infrastrukturës rrugore, kaosin në trafik dhe mungesën e planifikimit në realizimin e projekteve.
Përmes një reagimi publik, Ismajli ka thënë se Gjilani po përballet me probleme të vazhdueshme në organizimin e punimeve rrugore, duke theksuar se rrugët po hapen dhe mbyllen disa herë brenda vitit, pa koordinim dhe planifikim të duhur.
Sipas tij, kjo gjendje po shkakton vështirësi të përditshme për qytetarët, të cilët po përballen me bllokada dhe probleme në qarkullim.
Ismajli ka kritikuar gjithashtu rezultatet e qeverisjes pesëvjeçare, duke pretenduar se gjatë kësaj periudhe nuk është përfunduar ndonjë projekt madhor që, sipas tij, do ta dëshmonte punën e pushtetit lokal.
Në reagimin e tij, ai ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen e qytetit gjatë reshjeve të shiut, duke paralajmëruar se vështirësitë mund të thellohen gjatë dimrit, në rast të reshjeve më të dendura dhe përkeqësimit të kushteve në rrugë.
“Gjilani sot është shembulli më i mirë se si nuk duhet të qeveriset një qytet”, ka shkruar Ismajli, duke kërkuar më shumë planifikim, përgjegjësi dhe punë të realizuara sipas standardeve.
Ai ka vlerësuar se qytetarët e Gjilanit meritojnë një qeverisje që garanton organizim më të mirë të punimeve publike dhe zgjidhje të qëndrueshme për problemet infrastrukturore./Radio Star/










