Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu i ka parashtruar një pyetje kryeministrit Albin Kurti gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.
Ajo pyeti kryeministrin se kur e ka menduar ta fusë në rend dite ngritjen e Kompleksit Memorial për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Për këtë çështje, Kurti tha se mes Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Universitetit të Prishtinës, është nënshkruar memorandum mirëkuptimi.
“Kompleksi Memorial kushtuar fëmijëve të vrarë në Kosovë gjatë viteve 1998-’99, është një proces me peshë të jashtëzakonshme morale dhe historike për shoqërinë tonë. Është një ndërmarrje madhore për nga rëndësia, dhe tejet delikate për nga përbërja. Si e tillë meriton të trajtohet me seriozitet të plotë dhe t’i kushtohet kujdesi dhe koha e nevojshme në çdo fazë të ecurisë së saj. Këtu përgjegjësia jonë shtetërore duhet të shkojë paralelisht me respektin dhe kujdesin ndaj familjeve të viktimave”, u shpreh Kurti.
“Për këtë arsye, në kuadër të mandatit të komisionit dhe në bazë të planit të veprimit të hartuar nga Grupi Punues, Ministria e Kulturës dhe Turizmitt ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Universitetin e Prishtinës për realizimin e projektit ‘Konsultimi i të mbijetuarve dhe familjeve me fëmijë të vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë’. Qëllimi parësor ishte krijimi i bazës narrative dhe profesionale për shpalljen e konkursit ndërkombëtar për memorializimin e fëmijëve që janë vrarë gjatë kësaj periudhe”, tha kryeministri.
Ai shtoi se faza hulumtuese e projektit është realizuar në terren, ku sipas tij, janë përfshirë konsultime dhe intervista me mbi 100 familjarë të fëmijëve të vrarë gjatë luftës.
“Kjo fazë ka zgjatur më shumë sesa ishte planifikuar për disa arsye thelbësore”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, është menduar që vendi ku do të ndërtohet memoriali të jetë Prishtina.










