Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar takimin e tretë me bizneset sllovene që veprojnë në Kosovë, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e eksporteve dhe krijimin e mundësive të reja për investime.
Në takim, të mbajtur së bashku me ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, dhe drejtorin ekzekutiv të Këshillit Evropian të Investitorëve në Kosovë, Emrush Ujkani, është theksuar rëndësia e forcimit të lidhjeve ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve dhe e zgjerimit të mundësive për produktet kosovare në tregun slloven.
Kusari-Lila ka theksuar se synimi është që produktet vendore, përmes nismës “Made in Kosova”, të depërtojnë në tregje të reja dhe të vlerësohen për cilësinë e tyre. Në këtë drejtim, ajo ka veçuar edhe zhvillimin e eko-parqeve industriale, përmes të cilave synohet krijimi i kushteve për rritjen e prodhimit, inovacionit dhe investimeve.
Sipas ministres, forcimi i kapaciteteve prodhuese dhe rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare janë të rëndësishme për zgjerimin e pranisë së produkteve të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.










