Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me dorëheqjen e Bedri Hamzës nga posti i kryetarit të partisë.
Nga Zyra për Informim e PDK-së kanë deklaruar se Hamza e ka bërë të ditur publikisht se, kurdo që të hapet procesi i zgjedhjeve të brendshme, do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë më.
“Nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me këtë çështje. Kryetari Hamza e ka bërë të ditur publikisht se, kurdo që hapet procesi i zgjedhjeve të brendshme, do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë më”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të PDK-së.
Sipas PDK-së, në këtë fazë partia është e përqendruar në finalizimin e hapave për mbështetjen e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në fazën e apelit.
“Për çdo vendim dhe zhvillim zyrtar brenda partisë, do t’ju njoftojmë në kohën e duhur”, thuhet tutje në përgjigje.
Ndërkohë, në disa media kanë qarkulluar raportime se Bedri Hamza tashmë e ka njoftuar kryesinë e PDK-së për dorëheqjen dhe se zyrtarizimi pritet të bëhet në ditët në vazhdim.
Sipas këtyre raportimeve, Vlora Çitaku pritet të jetë ushtruese e detyrës së kryetarit dhe së bashku me kryesinë ta përgatisë partinë për zgjedhjet e brendshme dhe Kuvendin zgjedhor që pritet të mbahet vitin e ardhshëm./RTK/










