Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se në dy javët e fundit ka identifikuar dhjetëra raste me dyshime të bazuara për falsifikim të vërtetimeve tatimore, të cilat janë përdorur apo synuar të përdoren për aplikim në subvencione, përcjell Buletini Ekonomik.
Në njoftimin e ATK’së bëhet e ditur se rastet e dyshimta janë trajtuar sipas procedurave ligjore dhe janë përcjellë te organet kompetente për veprime të mëtejme.
“Bëjmë thirrje qytetarëve dhe bizneseve mos përdorni, mos paraqitni dhe mos përgatitni dokumente të falsifikuara të ATK-së për të përfituar subvencione apo çfarëdo përfitimi tjetër. Çdo tentativë e tillë do të ketë pasoja ligjore”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se mekanizmat e verifikimit të ATK-së janë efektivë në identifikimin e dokumenteve të falsifikuara dhe në parandalimin e keqpërdorimeve.
“Transparenca, ligjshmëria dhe ndershmëria janë përgjegjësi e përbashkët!”./Buletini Ekonomik/










