Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai e ka njoftuar sot Kryesinë e partisë për vendimin e tij, duke thënë se ka ardhur koha për një proces të ri zgjedhor brenda PDK-së.
Hamza tha se ky proces duhet t’u japë hapësirë të rinjve dhe mundësi më të mëdha për të marrë përgjegjësi në drejtimin e partisë.
Besoj shumë se çdo përgjegjësi e ka edhe kohën e vet. Dhe çdo kryetar duhet ta kuptojë se kur është koha të marrë përgjegjësi, por edhe kur është koha ta hapë rrugën për një fazë të re. Për mua, kjo kohë tashmë veç ka ardhur”, tha Hamza.
Ai theksoi se vendimi është marrë me përgjegjësi dhe bindjen se PDK-ja do të dalë më e fortë nga procesi i brendshëm zgjedhor.
“Qëndroj sepse PDK-ja është histori e përbashkët, kontribut i mijëra atdhetarëve dhe besim i qindra mijëra qytetarëve. Pavarësisht vështirësive, ia dolëm ta mbajmë afër këtë familje. Tani ka ardhur koha për një proces të brendshëm zgjedhor, për të cilin jam i bindur se PDK-ja do të dalë më e fortë, që secili ta ketë vendin e vet”, u shpreh ai.
Hamza kujtoi se nga viti 2020 ka marrë përgjegjësi të ndryshme brenda partisë, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së. Ai përmendi kandidimin për kryetar të Mitrovicës, kandidimin tri herë radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë, duke thënë se këto përgjegjësi i ka marrë për shkak të obligimit ndaj PDK-së dhe Kosovës, e jo për ambicie personale.
Sipas tij, gjatë udhëheqjes është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, strukturave të saj dhe besimit të anëtarëve e votuesve.
Ai tha se mandati i tij nuk ka qenë i zakonshëm, pasi nga shkurti i vitit 2025 deri më tani janë zhvilluar pesë procese zgjedhore, pa pasur hapësirë të mjaftueshme për konsolidim të brendshëm.
Hamza theksoi se dorëheqja nuk nënkupton largimin e tij nga partia.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, tha ai.
Hamza po ashtu tha se kishte shpresuar që, pas 16 shtatorit, pozitën e kryetarit të PDK-së do t’ua dorëzonte heronjve të luftës dhe paqes.










