Në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe miqësisë me Republikën e Kroacisë një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës mori pjesë për herë të parë në trajnimin për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë, të organizuar në Qendrën “Marko Babić” të Ushtrisë Kroate.
Trajnimi u përmbyll me një marshim taktik prej 88 kilometrash, nga Udbina deri te Kalaja e Kninit, duke vënë në sprovë qëndrueshmërinë fizike dhe mendore, aftësitë udhëheqëse, disiplinën dhe vendimmarrjen e pjesëmarrësve në rrethana sfiduese.
Në trajnim morën pjesë ushtarakë nga Kroacia, Kosova, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Marshimi përmbyllës kishte gjithashtu domethënie simbolike, duke nderuar historinë dhe sakrificën e popullit kroat gjatë Luftës Atdhetare.
Pjesëmarrja e FSK-së në këtë trajnim përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, avancimin profesional të pjesëtarëve të FSK-së dhe forcimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.
Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e lidershipit ushtarak, ngritjen e profesionalizmit dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të përmbushjes së misionit të saj.










