Në kuadër të qëndrimit zyrtar në Hungari, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, vizitoi Muzeun Etnografik të Budapestit (Néprajzi Múzeum), një nga institucionet më të rëndësishme etnografike të Evropës.
Muzeu Etnografik i Budapestit, i themeluar në vitin 1872, ruan mbi 235 mijë objekte etnografike që përfaqësojnë kulturën tradicionale hungareze dhe atë të popujve nga e gjithë bota.
Vizita u zhvillua në ndërtesën e re të muzeut, të hapur në vitin 2022, ku Presidentja u njoh nga afër me koleksionet e pasura të muzeut dhe me punën që kryhet për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Në këtë muze ruhet edhe koleksioni shqiptar i Paolo Lazzës (Palokë Laca), i cili përbën një dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë etnografike shqiptare. Koleksione të tilla kanë vlerë të veçantë për njohjen dhe studimin e historisë sonë kulturore, duke na ndihmuar të kuptojmë më thellë identitetin, traditat, artizanatet dhe mjeshtëritë që kanë karakterizuar jetën e shqiptarëve ndër breza.
Presidentja theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre artefakteve dhe nevojën e ruajtjes së tyre për brezat e ardhshëm.
“Artefaktet e këtij muzeu dëshmojnë historinë, identitetin dhe krijimtarinë e popujve ndër shekuj. Koleksione të tilla na ndihmojnë të njohim më mirë edhe vetveten, kulturën tonë dhe mjeshtëritë tradicionale që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë. Ruajtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi e përbashkët e njerëzimit”, ka thënë Presidentja Shiroka Pula.










