Kosova është përfaqësuar për herë të parë në festivalin ndërkombëtar 1st International Tourism and Folklore Festival, të mbajtur në Samut Prakan, Bangkok, Tajlandë, përmes këngëtares Taria Shabani dhe violinçelistes Arzije Jusufi, të cilat janë vlerësuar me Kupën e Artë dhe dy medalje të bronzta.
Dy artistet e kanë përfaqësuar Kosovën me një formacion artistik minimalist, të përbërë nga vokali dhe violonçeli, duke prezantuar para publikut ndërkombëtar këngën shqipe dhe traditën muzikore shqiptare.
Ftesa për pjesëmarrje është pranuar nga Organizata Ndërkombëtare e Festivaleve Folklorike (IOFF), me kryetar Faruk Alkaya, si dhe në bashkëpunim me Kirsana Chaanswat. Ky prezantim shënon pjesëmarrjen e parë të këtij formacioni në Tajlandë, ku kultura shqiptare u prezantua përmes këngës dhe interpretimit instrumental.
Në organizimin e festivalit kanë marrë pjesë IOFF, Konfederata e Shoqatave të Turizmit të Tajlandës, Këshilli Kulturor i Provincës Samut Prakan, Shoqata për Promovimin e Biznesit Turistik të Samut Prakanit, si dhe institucione e organizata të tjera kulturore e shoqërore tajlandeze.
Pjesëmarrja e artisteve është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, ndërsa vlerësimet e fituara përbëjnë një rezultat të rëndësishëm në përpjekjet për promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare në skenën ndërkombëtare.
Përmes interpretimit vokal të Taria Shabanit dhe shoqërimit instrumental në violonçel nga Arzije Jusufi, Kosova është prezantuar në këtë festival me një formacion të vogël artistik, duke dëshmuar se muzika dhe tradita shqiptare mund të përfaqësohen edhe përmes formave të thjeshta, por artistikisht domethënëse./Radio Star/










