Lista studentore “Studentët po fitojnë” shpalli fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi.
Në selinë zgjedhore të studentëve ka nisur një festë e madhe, ndërsa përfaqësuesit e listës u përcollën qytetarëve një mesazh për fillimin e një kapitulli të ri për Serbinë.
Studentët u bënë thirrje qytetarëve që ta festojnë fitoren në mënyrë paqësore dhe me dinjitet, pa konflikte apo dhunë.
“I nxisim qytetarët ta festojnë këtë fitore në mënyrë paqësore, me dinjitet dhe krenari – mos u bini pre e provokimeve, mos u përfshini në konflikte dhe mos lejoni që asnjë përpjekje për të nxitur tensione të errësojë atë që kemi arritur së bashku. Le të jetë përgjigjja jonë ndaj çdo provokimi – dinjiteti; ndaj çdo fyerjeje – paqja dhe ndaj çdo përpjekjeje për të na përçarë – një solidaritet edhe më i fortë,” vazhduan ata.
Ata theksuan se nuk dëshirojnë që festa të përshkallëzohet në dhunë.
“Ne nuk u përpoqëm për muaj të tërë vetëm për të humbur, pikërisht sonte, ato gjëra që na kanë mbajtur të fortë gjatë gjithë kësaj kohe: besimin te drejtësia, solidaritetin dhe mos dhunën”.
Në fjalimin e tyre të fitores, studentët theksuan se e shohin rezultatin e zgjedhjeve si fillimin e ndryshimeve të mëdha në Serbi.
“Po nesër? Nesër fillon puna. Detyra serioze, e përgjegjshme dhe e vështirë për të ndërtuar një Serbi ku ligji vlen njësoj për të gjithë, ku e vërteta nuk ndëshkohet, ku dija respektohet, ku të rinjtë shohin një të ardhme për veten dhe ku askush nuk duhet të jetojë në frikë vetëm pse mendon ndryshe,” deklaruan ata.
“Le të shënojë kjo natë fillimin e një kapitulli të ri – një kapitull në të cilin ne nuk e ndajmë veten në fitues dhe humbës, por punojmë së bashku për të ndërtuar një vend ku secili ka të drejtë të shprehet, të njohë të vërtetën dhe të ketë një të ardhme. Sonte festojmë fitoren; duke filluar nga nesër, ndërtojmë të ardhmen. Rroftë liria! Studentët kanë fituar!”










