Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), për pranimin e inventarit në vlerë prej 132,197 eurosh, i cili do të shërbejë në përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore të komunës.
Në kuadër të këtij memorandumi, inventari do të shpërndahet në pesë institucione arsimore:
1. Institucioni parashkollor në Koretin;
2.Institucioni parashkollor “Filizat” në Kamenicë;
3. SHFMU “Sejdi Kryeziu” në Roganë;
4.IAAP “Andrea Durrsaku” në Kamenicë;
5. Gjimnazi “Ismail Qemali” në Kamenicë.
Ky inventar do të kontribuojë në krijimin e kushteve më të përshtatshme për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor, duke mbështetur punën e mësimdhënësve dhe duke përmirësuar ambientet ku fëmijët dhe të rinjtë zhvillojnë mësimin.
Komuna e Kamenicës vazhdon të angazhohet për avancimin e infrastrukturës dhe kushteve në institucionet arsimore, me synimin që nxënësit dhe fëmijët të kenë hapësira më funksionale dhe më të përshtatshme për edukim dhe mësimnxënie.










