Ajrina Gashi, Hamdiu ish-anëtare e Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, ka bërë publike një ngjarje që i kishte ndodhur në vitin 2020, kur sapo ishte emëruar në këtë bord.
Ajo ka shkruar se kryeshefi i atëhershëm ekzekutiv kishte përdorur ndaj saj një shprehje vulgare dhe poshtëruese me përmbajtje seksuale.
“Nuk ishte kritikë për punën time apo aftësitë e mia profesionale, por një fyerje e rëndë që më poshtëronte si grua”, ka shkruar Gashi.
Ajo ka thënë se edhe sekretari i atëhershëm i ndërmarrjes, në vend që ta kundërshtonte gjuhën e përdorur, ishte zgërdhirë.
Gashi ka treguar se kjo situatë e kishte shqetësuar edhe për shkak të pozitës së kryeshefit dhe ndikimit që ai mund të kishte mbi punonjëset e ndërmarrjes.
“Nëse një Kryeshef guxonte të fliste kështu për një anëtare të Bordit të Drejtorëve, çfarë mund t’i ndodhte një punonjëseje që varej drejtpërdrejt nga ai për vendin e saj të punës?”, ka pyetur ajo.
Ajo ka thënë se vendosi ta ndiqte çështjen përmes institucioneve, pasi nuk dëshironte që ajo të zgjidhej përmes hakmarrjes apo përplasjeve personale.
“Desha që shteti im ta bënte punën e vet dhe që ai që kishte përdorur një gjuhë të tillë të përballej me përgjegjësinë që ia përcakton ligji”, ka shkruar Gashi.
Sipas saj, rastin e kishte paraqitur në Prokurori, duke ofruar incizime, transkripte dhe dëshmitarë. Megjithatë, ajo pretendon se Prokuroria e kishte hedhur poshtë çështjen, duke vlerësuar se nuk kishte elemente të mjaftueshme për vazhdimin e procedurës penale.
Gashi ka thënë se nuk ishte ndalur me kaq dhe kishte vazhduar me procedura të tjera individuale ligjore.
Në vitin 2021, së bashku me kolegët që e kishin mbështetur, ajo e kishte ngritur rastin edhe në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Sipas saj, njëra nga anëtaret e atëhershme të komisionit, pasi kishte dëgjuar shqetësimin e saj, ishte përgjigjur: “Eiiii, kështu muhabetesh ka çdo ditë në Kuvend.”
“Pra, në vendin ku miratohen ligjet që duhet t’i mbrojnë gratë nga dhuna, gjuha që i fyen dhe i poshtëron ato u konsideruaka muhabet i zakonshëm?”, ka shkruar ajo.
Gashi ka shpjeguar se vendosi të flasë publikisht pas vrasjes së Arlinda Zekajt dhe reagimeve që pasuan, duke kritikuar personat që sot shprehin dhimbje dhe kërkojnë drejtësi për gratë, por që, sipas saj, më herët e kanë relativizuar poshtërimin e tyre.
“Nuk mund të shprehim dhimbje vetëm kur ndodh tragjedia, ndërsa më parë t’i arsyetojmë sjelljet që ua cenojnë grave dinjitetin dhe sigurinë”, ka shkruar ajo.
Në fund, Gashi u ka drejtuar një mesazh atyre që sot kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn.
“Mos kërkoni drejtësi për gratë vetëm kur ato përfundojnë në varr, mbrojeni dinjitetin e tyre edhe kur janë gjallë.”

