Analisti Burim Korqa ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke shprehur dhimbjen e tij për këtë ngjarje dhe duke bërë thirrje për më shumë ndërgjegjësim, respekt dhe mbështetje për gratë.
Në reagimin e tij, Korqa ka theksuar se vrasja e Arlindës e ka prekur thellë, jo vetëm si njeri, por edhe si bir, bashkëshort dhe baba.
Ai ka theksuar rëndësinë e respektit ndaj grave, duke përmendur se është rritur nga një nënë, ka tri motra, bashkëshorte dhe vajzë, të cilat i cilëson si të mrekullueshme.
Korqa ka shprehur keqardhje edhe për mënyrën se si, sipas tij, deklaratat shpesh interpretohen jashtë kontekstit, duke bërë thirrje që njerëzit të dëgjojnë për të kuptuar dhe jo vetëm për të gjykuar.
“Asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikë. Asnjë familje nuk duhet ta humbasë vajzën, motrën, nënën apo bashkëshorten nga dhuna”, ka shkruar Korqa.
Në fund të reagimit, analisti ka theksuar se Arlinda meriton drejtësi dhe se çdo grua meriton të jetojë e sigurt dhe me dinjitet, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerës.
“Një jetë e humbur duhet të na zgjojë ndërgjegjen, jo të na ndajë”, ka përfunduar reagimin e tij Burim Korqa.










