Drita ka shënuar fitore me rezultat 3-1 ndaj Vushtrrisë, në kuadër të javës së 12-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu po kalon një periudhë shumë të mirë, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi dhe duke vazhduar garën për kreun e tabelës.
Gjilanasit kaluan në epërsi në minutën e 19-të me golin e Mike Arthurit, ndërsa në minutën e 31-të Kemelho Nbguena realizoi për 2-0.
Vushtrria arriti të ngushtojë rezultatin në fund të pjesës së parë, kur Albijon Shurdhiqi shënoi për 2-1.
Në pjesën e dytë, Drita menaxhoi mirë epërsinë, ndërsa në minutën e 75-të Albert Dabiqaj realizoi golin e tretë, duke vulosur fitoren e skuadrës gjilanase.
Pas kësaj fitoreje, Drita ngjitet në kuotën e 23 pikëve dhe renditet në vendin e tretë, ndërsa Vushtrria mbetet në fund të tabelës me vetëm tri pikë.
Në xhiron e ardhshme, Drita udhëton për t’u përballur me Drenicën, kurse Vushtrria do të jetë nikoqire e Prishtinës.










