Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që tronditi sot Gjilanin, ku në fshatin Demiraj humbën jetën dy persona.
Përmes një reagimi publik, Gërvalla ka shprehur shqetësimin për këtë tragjedi, duke theksuar rëndësinë e sigurisë brenda familjes dhe nevojën për reagim të menjëhershëm institucional.
Ajo ka kërkuar që rrethanat e rastit të hetohen plotësisht dhe pa vonesa, në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore.
Reagimi i plotë i ministres Donika Gërvalla:
“Një ngjarje tragjike ka tronditur sot Gjilanin dhe të gjithë ne, me humbjen e dy jetëve në fshatin Demiraj.
Familja duhet të jetë streha më e sigurt e njeriut, vendi ku mbizotërojnë dashuria, harmonia, kujdesi dhe mbrojtja. Çdo ngjarje që e cenon këtë siguri kërkon vëmendje dhe reagim të menjëhershëm institucional.
Në këto momente, është e domosdoshme që rrethanat e këtij rasti të hetohen plotësisht dhe pa vonesa, në mënyrë që e vërteta të zbardhet dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet që kërkon ligji.
Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave.”










