Drejtoresha e Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Gjilanit, Eljesa Rashiti, ka bërë të ditur se çdo të martë do të mbajë orar të veçantë për takime të drejtpërdrejta me qytetarë.
Sipas njoftimit të saj, takimet do të zhvillohen nga ora 09:00 deri në 12:00, ku qytetarët nga të gjitha lagjet dhe fshatrat e Gjilanit do të kenë mundësi të paraqesin kërkesat, shqetësimet dhe çështjet që lidhen me fushëveprimtarinë e kësaj drejtorie.
Rashiti ka theksuar se, në bashkëpunim me kolegët e drejtorisë, çdo kërkesë do të shqyrtohet me seriozitet dhe do të trajtohet në përputhje me dispozitat ligjore dhe mundësitë buxhetore.
Ajo ka bërë të ditur se ky orar paraqet një mundësi shtesë për komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, ndërsa dyert e drejtorisë do të mbeten të hapura për ta edhe gjatë ditëve të tjera të javës.










